Kuvendi i Republikës së Kosovës

Sesioni me rëndësi historike për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës

16.04.2024

Këtë javë, nga 15-19 prill 2024 po zhvillohen punimet e sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), në Strazburg. Tema e rëndësishme e këtij sesioni të APKE do të jetë debati dhe votimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. 
 
Sot, me 16 prill 2024, në pjesën e sesionit të pasdites, do të zhvillohet debati për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
 
Në këtë sesion, marrin pjesë anëtarët e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në APKE, Saranda Bogujevci, kryesuese, Arben Gashi dhe Enis Kervan, anëtarë, si dhe Ariana Musliu-Shoshi dhe Besnik Tahiri, zëvendësanëtarë. 

Në APKE po qëndron edhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës dhe Zv. Kryeministrja, znj. Donika Gërvalla dhe Zv. Ministri i MPJD, z. Kreshnik Ahmeti. 

Në sesion, fillimisht, raportuesja për Kosovën, znj. Theodora Bakoyannis, do ta prezantojë raportin konsultativ për aplikimin e Kosovës për anëtarësim dhe më pas do t’i jepet fjala anëtarëve të tjerë, përfshirë anëtarët e delegacionit të Kuvendit të Kosovës në APKE.
 
Pas debatit, raporti do të hidhet në votim ku kërkohen 2/3 e votave për miratim dhe më pas do t'i përcillet Komitetit të Ministrave për votim. Komiteti i Ministrave do të mbahet me 16-17 maj 2024.
 
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të vitit 2022.