Kuvendi i Republikës së Kosovës

Seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit 

28.03.2024

Kuvendi i Republikës së Kosovës, kryesuar nga kryetari Glauk Konjufca, mbajti sot seancë të jashtëzakonshme, me të vetmen pikë të rendit të ditës, “Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore”.

Punimet u hapën një minutë heshtje në nderim të të rënëve për liri në masakrat e Krushës së Madhe, asaj të Vogël, në Dardani të Pejës, Izbicës, si dhe familjeve Lllugaliu, Duriqi e Bogujevci në Podujevë, në përvjetorin e 25-të të tyre. 

Po ashtu kryetari në emër të gjithë deputetëve të Kuvendit, i shprehu ngushëllime Senatit Amerikan dhe familjes Liberman për humbjen e mikut të madh të Kosovës senatorit Xho Liberman, i cili për 34 vite ka shërbyer në Senatin amerikan dhe në mënyrë palodhshme ka mbrojtur kauzën për liri të Kosovës.

Një falënderim i veçantë iu bë forumit rinor i CDU-së gjermane, duke theksuar kontributin e pazëvendësueshëm të Gjermanisë dhe CDU-së, për lirinë dhe pavarësinë tonë.

Tutje, fjala iu dha deputetit nga radhët e GP të PDK-së, Abelard Tahiri, në cilësi të iniciuesit të kësaj seance dhe të themelimit të komisionit hetimor parlamentar, së bashku me deputetët nënshkrues. Në fjalën e tij deputeti Tahiri shpjegoi rëndësinë dhe arsyeshmërinë që ky komision të themelohet, duke u bërë thirrje të gjithë deputetëve që ta mbështesin themelimin e tij.

Në emër të GP të LVV-së, deputeti Adnan Rrustemi theksoi se kjo procedurë tenderuese për çka opozita po akuzon qeverinë aktuale, ishte përdorur më së shumti në qeveritë e kaluara, andaj e konsideroi kërkesën e opozitës aspak serioze, dhe aspak të dyshimtë në qeverinë Kurti, në të cilën, sipas tij, ka transparencë dhe përgjegjësi, e cila do të vazhdojë të jetë e tillë.

Në emër të PDK-së, deputetja Blerta Deliu Kodra konsideroi se tenderimi me negocim, pa asnjë procedurë tenderuese me shumë parregullsi, si dhe në kundërshtim me ligjin, sipas saj, janë bërë tashmë standard i kësaj qeverie. Prandaj, siç tha ajo, për të luftuar këtë korrupsion masiv, theksohet nevoja imediate për themelimin e komisionit hetimor për të zbardhur çdo parregullsi. 

Deputeti Besian Mustafa nga GP i LDK-së tha se Kuvendi ka të drejtë kushtetuese për themelimin e komisioneve hetimore, e aq më tepër, duke pasur parasysh që, sipas tij, kontratat një burimore vetëm 2.5% janë trashëguar nga qeveritë e kaluara, kurse 97.5% e kontratave të tilla janë të reja, pra janë të kësaj qeverie.

Kryetari i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se themelimi i komisionit është më e pakta që kjo qeveri mund të bëjë dhe se tenderët njëburimor po e ngulfasin konkurrencën në sektorin privat dhe janë në kundërshtim me ligjin. 

Në emër të qeverisë, fjalën e mori ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili dha shpjegimin e tij për ministrinë të cilën ai drejton, duke sqaruar se edhe pse nuk e konsideron vetën subjekt të tematikës, këtu kemi të bëjmë me të ashtuquajtura aneks-kontrata për punë shtesë, të cilat planifikohen paraprakisht dhe janë brenda kontratës bazë dhe rrjedhimisht brenda ligjit. Në këtë rast ai përmendi rastin me vazhdimin e ligjit për legalizim, duke e pasur parasysh se 75% e ndërtimeve janë pa leje, e legalizimin e bëjnë komunat. 

Pas shterimit të diskutimit, në mungesë të kuorumit, seanca përmbylli punimet.