Kuvendi i Republikës së Kosovës

Mbledhje e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike

07.05.2024

Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, kryesuar nga Hykmete Bajrami, u shqyrtua raporti i auditimit të performances “Sistemet e Informacionit në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal Prishtina.

Fillimisht, në cilësinë e deputetes raportuese, anëtarja e Komisionit, Mirlinda Tishukaj Sadiku, paraqiti në detaje të gjeturat e dokumentuara nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Mes tjerash ajo e përmendi edhe mungesën e planifikimit strategjik të teknologjisë së informacionit, duke shtuar më tej se KRU nuk ka strukturë të plotë organizative. Më tej, ajo përmendi edhe të gjeturën që ka të bëjë me sigurinë e informacionit.

Sadiku tha po ashtu se kjo ndërmarrje nuk ka bërë identifikimin e analizimit të rreziqeve që ndërlidhen me sigurinë e informacionit, për faktin se si duhet të mbrohen nga sulmet e mundshme kibernetike, duke shpalosur detaje nga 18 rekomandimet e ZAP-it.

Në vijim, kryesuesi  i bordit të KRU-së, Bashkim Pllana, dha sqarime të detajuara për secilin rekomandim dhe për zbatimin e tyre. Ai në vijim foli edhe për sfidat me të cilat ballafaqohet kjo ndërmarrje.

Ai theksoi se rekomandimet e auditorit pothuajse janë të implementuara dhe se për këtë kanë hartuar edhe strategjinë se si t’i shmangen problemeve të gjetura nga ZKA. 

"KRU e ka marrë me shumë seriozitet këtë çështje, me theks të veçantë asaj të teknologjisë së informacionit dhe se ka fusha nga të cilat tashmë janë implementuar të gjeturat, disa sosh qind për qind", theksoi Pllana, duke shtuar se nuk mund të ketë ndonjë rrezik për sulme kibernetike.
 
Z. Pllana duke u përgjigjur në shumë çështje që u ngritën nga anëtarë të komisionit tha se ekipi i KRU-së është i angazhuar maksimalisht për zgjidhje të problemit të ujit ta pafaturuar dhe se pas çdo thirrjeje të qytetarëve për keqpërdorim të ujit, ekipi i KRU-së përgjigjet menjëherë.
 
Kryesuesi i bordit të KRU-së, Bashkim Pllana, si dhe zyrtari kryesor financiar, Riza Spanca, folën në detaje edhe për borxhet e akumuluara dhe shumë çështje tjera që u ngritën në këtë takim.

Spanca theksoi se Plani i zbatimit të rekomandimeve tashmë është dorëzuar në ZKA brenda afatit dhe se më shumë se gjysma e tyre janë zbatuar qind për qind, ndërkaq pjesa tjetër pritet të zbatohen deri në fund të këtij viti. 

Pas shterimit të diskutimit për këtë raport, Komisioni shqyrtoi edhe raportin e përbashkët në auditimin paralel – “Sistemet e Informacionit në Ujësjellësit e Tiranës dhe Prishtinës”. Një analizë të këtij raporti e paraqiti sërish anëtarja e Komisionit Mirlinda Tishukaj- Sadiku, për të sqaruar se ku gjinden këto dy qytete në këtë fushë dhe për krahasim. Sipas saj, të gjeturat të cilat janë evidentuar pothuajse janë të njëjta në KRU Tirana dhe në atë KRU Prishtina. 

“Ne nuk qëndrojmë më larg tyre, ndërkaq problem dhe sfida ka gjithsesi”, tha ajo.

Sa i përket votimit të raportit Komisioni nuk pati kuorum për vendimmarrje.