Kuvendi i Republikës së Kosovës

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë priti në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves

24.04.2024

Në kuadër të angazhimeve që dalin nga fushëveprimtaria e tij, Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë, i prirë nga  kryetarja Arbëreshë  Kryeziu – Hyseni, priti sot në takim njohës Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves. 

Kryetarja e Komisionit, Kryeziu – Hyseni, ambasadorit Hargreaves, i uroi mirëseardhje dhe suksese në punën e tij të re, ndërkaq, vuri në spikamë marrëdhëniet tradicionalisht të shkëlqyera ndërmjet dy shteteve. 

Ajo u shpreh e bindur  se këto raporte do fuqizohen edhe më tej, pasi që ato, tha ajo,   burojnë nga një miqësi tashmë e dëshmuar dhe e kalitur me dekada. 

Ngjashëm u shprehën edhe anëtarët e tjerë të komisionit, të cilët u angazhuan që bashkëpunimi i gjertanishëm të avancohet edhe në fusha të tjera, siç janë, ekonomia, kultura dhe arsimi. 

Ambasadori  Hargreaves, nga ana e tij, pasi falënderoi për pritjen, u shpreh i bindur se marrëdhëniet ndërshtetëror do të vazhdojnë dhe thellohen edhe më tej në një frymë miqësore. 

Ai, po ashtu rikonfirmoi se, mbështetja  ndaj Kosovës do të jetë e sinqertë dhe e pa kursyer, deri në integrimin e plotë në të gjithë mekanizmat ndërkombëtar.