Kuvendi i Republikës së Kosovës

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport mbajti dëgjim publik për Projektligjin nr. 08/L-277 për Sport

24.04.2024

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, kryesuar nga Ardian Gola, kryetar, mbajti sot dëgjim publik lidhur me Projektligjin nr. 08/L-277 për Sport.

Për të dhënë sugjerimet, komentet dhe propozimet e tyre për këtë projektligj, të pranishëm ishim përfaqësues nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS), përfaqësues të drejtorive komunale të sportit, si dhe akterë tjerë relevantë të grupeve të interesit.

Kryetari i komisionit, deputeti Gola falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për prezencën e tyre, duke i inkurajuar ata që të paraqesin të gjitha çështjet që ndërlidhen me interesat e tyre, përfshirë të gjitha pengesat dhe mangësitë që kanë hasur, në mënyrë që ky ligj të jetë në funksion sa më të mirë të sportistëve.

Deputeti Gola vlerësoi se sporti është një ndër fushat më të rëndësishme për vendin tonë. Nisur nga ky fakt, ai tha se duhet të trajtohet si një fushë me interes të veçantë publik. 

Në vazhdim, këtë projektligj e prezantoi dhe arsyetoi zëvendësministrja e MKRS-së, Daulina Osmani, e cila foli për zhvillimet dhe ndryshimet në avancimet e sportit, duke theksuar se ky projektligj do t’u  shërbejë nevojave dhe interesit të komunitetit sportiv.

Pjesëmarrësit e të gjitha grupeve të interesit shprehen vërejtjet, komentet dhe sugjerimet e tyre në nene të caktuara të këtij projektligji.

Në fund të dëgjimit publik, kryetari Gola, i siguroi të pranishmit se të gjitha komentet dhe sugjerimet të cilat i dërgojnë edhe me shkrim do të shqyrtohen nga komisioni, si dhe do të inkorporohen në ligj sipas rëndësisë përmbajtësore, në mënyrë që sektori i sportit ta ketë një ligj sa më të avancuar dhe në funksion sa më të mirë të zbatueshmërisë së tij.