Grupi i Grave Deputete, në bashkëpunim me Fondin për Popullsi të Kombeve të Bashkuara (UNFPA), organizoi sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës tryezën e diskutimit lidhur me politikat e përgjegjshme gjinore për familjen në Kosovë.
Me temën “Promovimi i lejes së lehonisë në Kosovë: Strategjitë për ndryshim - Përfshirja e dispozitave për Balancin Punë-Jetë”, tryeza u përcoll me diskutime të frytshme nga pjesëmarrësit, të cilët elaboruan sfidat që lidhen me mungesën e një kornize ligjore gjithëpërfshirës që rregullon pushimin e lehonisë, si dhe mundësinë e identifikimit të zgjidhjeve të mundshme për të përmirësuar zbatimin e politikave të pushimit të lehonisë në Kosovë.
Kryetarja e Grupit të Grave Deputete, Tinka Kurti, në cilësi të nikoqires dhe njëherësh moderatore e kësaj tryeze, në fjalën e saj të hapjes potencoi rëndësinë e organizimit të tryezave të tilla, përderisa vlerësoi pjesëmarrjen në takimin e sotëm.
Duke u fokusuar në temën e diskutimit, ajo tha se nuk mjafton vetëm një aspekt i rregullimit të kësaj çështjeje, por duhet të punohet në edukimin e hershëm në fëmijëri. Ajo shtoi se leja e lehonisë është vetëm njëra prej aspekteve të shumë çështjeve që duhet të rregullohen.
“Neve si deputete na takon që ta rishikojmë për aq sa mundemi”, theksoi deputetja Kurti.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ndërkaq tha se si ministre është e përkushtuar në fuqizimin dhe pavarësinë ekonomike të vajzave dhe grave.
“Realisht gratë i fuqizojmë vetëm kur ato i pavarësojmë ekonomikisht”, theksoi ministrja Haxhiu.
Kurse, udhëheqësja e Zyrës së Agjencisë Austriake për Zhvillim, Sandra Horina tha se dhuna në familje është rritur për 30 për qind në Kosovë. Ajo tha se pandemia dhe kriza ekonomike po prek më shumë gratë.
Deputetja Valentina Bunjaku tha se sa kur bëhet fjalë për fuqizimin e gruas, pozita dhe opozita ndajnë të njëjtin mendim, ndërsa deputetja Albana Bytyqi theksoi se vëmendja duhet të kthehet nga gratë, në mënyrë që t’u krijohen mundësi të mira edhe në Ligjin e Punës.
Gjatë diskutimeve u vlerësua se përqindja e ulët e grave në tregun e punës është në kundërshtim me direktivat e legjislacionit, ndërsa u kërkua që kjo përqindje të ngritet, pasi që, siç u tha, lidhet edhe me direktivën e BE-së për Balancimin e Punës dhe Jetës.
Ekspertja e ekonomisë, Dita Dobranja prezantoi disa shifra se si qëndron punësimi i grave në Kosovë, ndërsa Visare Mujko-Nimani nga UNFPA e konsideroi të rëndësishme që kur te flitet për barazinë gjinore të flitet nga të dy gjinitë.
Tryeza vijoi punimet me diskutimet lidhur me aspekte të ndryshme të temës në trajtim dhe në mënyrë të veçantë me direktivën e BE-së për Balancimin e Punës dhe Jetës, duke u fokusuar në mundësitë e transpozimit të kësaj direktive edhe në legjislacionin e Kosovës, me qëllim të rritjes së mundësive për pjesëmarrjen e grave në tregun e punës dhe njëkohësisht mbështetjes së grave në realizimin e aspiratave të tyre për karrierë dhe familje.