Kuvendi i Republikës së Kosovës

Fjalimi i kryetarit Glauk Konjufca në seancën solemne të Kuvendit për nder të 25-vjetorit të Betejës së Koshares

04.04.2024

Të nderuar deputetë,
E nderuar presidente e vendit, znj. Vjosa Osmani Sadriu,
I nderuar kryeministër Albin Kurti,
Të nderuar zëvendëskryeministre, ministra,
Të nderuar ambasadorë,
Të nderuara familje të dëshmorëve të rënë në betejën e lavdishme të Koshares,
Të dashur bashkëluftëtarë të Agim Ramadanit e Sali Çekajt,
 
Themelimi i UÇK-së është një nga ngjarjet më të rëndësishme të kombit shqiptar në 100 vitet e fundit, ndërkaq Beteja e Koshares është një nga betejat më të lavdishme të luftës sonë për çlirim nga Serbia. Ashtu siç UÇK-ja ia dha çlirimin dhe lirinë Kosovës, Beteja e Koshares ia dha namin UÇK-së si një ushtri që ishte e aftë për ta sfiduar fuqishëm armatën serbo-jugosllave, duke e bërë atë tashmë të paaftë të garantojë kufirin e vendosur dhunshëm mes Kosovës dhe Shqipërisë. Prandaj, jemi mbledhur sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës për të kujtuar këtë betejë historike të UÇK-së e për të nderuar të gjithë dëshmorët e heronjtë e saj, në krye me heroin e Kosovës, Agim Ramadanin, komandantin emblematik të Brigadës 138. 

Beteja e Koshares u bë shtegu pa kthim i përpjekjeve gati njëshekullore të kombit shqiptar për çlirim e për bashkim. Kjo betejë ishte sinonimi më i mirë i betimit të ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shembja e gurit të kufirit me çizmen e komandantit Agim Ramadani e Sali Çekaj, ishte një nga ngjarjet historike të luftës sonë çlirimtare. 

Në kontekstin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, Beteja e Koshares do të vlerësohet së paku për tri aspekte të veçanta të saj: 

E para, kjo betejë paraqet operacionin më të madh luftarak të UÇK-së, përveç se po ashtu edhe betejën më të përgjakshme me 111 dëshmorë, qindra të plagosur e me mijëra luftëtarë që ishin në front dhe në luftë të drejtpërdrejtë kundër ushtrisë së ish-Jugosllavisë. Kjo betejë mund të themi që ia ndërroi fizionominë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si një ushtri që tashmë ishte e aftë të ndërmerrte operacione luftarake në shkallë të gjerë kundër Jugosllavisë dhe Serbisë. Pra, Beteja e Koshares do të vlerësohet për cilësitë e saj të larta të një beteje të lavdishme, e realizuar edhe si një operacion luftarak i paparë deri atëherë nga UÇK-ja.

E dyta, kjo betejë shënon një përbashkim të lartë kombëtar, një gjithëpërfshirje të trevave e luftëtarëve që merrnin pjesë nga të gjitha viset e kombit tonë, duke përfshirë edhe mërgatën tonë. Kjo e bën këtë betejë një nga betejat më domethënëse në kuptimin e mobilizimit gjithëkombëtar shqiptar për çlirimin e Kosovës. Sepse, në Koshare luftoi e gjithë shqiptaria! 

E treta, Beteja e Koshares është një nga betejat më historike të UÇK-së për faktin që ajo u zhvillua edhe si një operacion krah për krah me aleancën më të fuqishme demokratike të botës, me NATO-n, për ndalimin e spastrimit etnik dhe gjenocidit të Serbisë ndaj popullit shqiptar.
 
Kjo seancë po zhvillohet pra sot, pikërisht në 75-vjetorin e themelimit të NATO-s.
 
Pra, Beteja e Koshares është një betejë edhe me karakter ndërkombëtar, jo vetëm sepse aty morën pjesë e luftuan, por edhe ranë dëshmorë edhe tre të huaj, por sepse kjo betejë ia humbi përfundimisht kontrollin Jugosllavisë mbi kufirin e vendosur dhunshëm në mes të shqiptarëve, e po ashtu ia dha goditjen finale Jugosllavisë e Serbisë. 

Shënimi i 25-vjetorit të Betejës së Koshares në Kuvendin e Republikës është po ashtu një moment i rëndësishëm i kujtesës dhe reflektimit se rruga jonë për pavarësi e shtetësi është para së gjithash rezultat i sakrificës së popullit e të heroizmit të luftëtarëve e komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Lavdi të gjithë dëshmorëve e heronjve të Betejës së Koshares! 
Lavdi heroit Agim Ramadani! 
Lavdi Luftës Çlirimtare të UÇK-së! 
Ju faleminderit!